Xhavit Adili në Kategorinë Hard dhe Kushtrim Spahiu në atë Soft janë fitues të garës në disiplinën Off Road, e cila u mbajt në Jezerc të Ferizajt.
Organizuar nga Auto Klubi Vjosa, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK), gara pati rrjedhë mjaft interesante, me pjesëmarrje të kënaqshme të garuesve, por edhe dashamirëve të kësaj disipline.
Në një terren atraktiv, pjesëmarrësit e dhanë maksimumin dhe i treguan shkathtësitë e tyre.

Në kategorinë Soft, deri në 2800 ccm, në pozitën e parë u rendit Kushtrim Spahiu, i cili shtegun e kaloi për 01:36.066 minuta. Pozita e dytë i takoi Valon Jahës, i cili në krahasim me fituesin u vonua për 07.080 sekonda, ndërsa në podium u gjend edhe Zymer Hamza, i cili në cak arriti për 01:46.106 minuta, ose 10.040 sekonda më ngadalë se Spahiu.

Garë edhe më e ashpër u zhvillua në Kategorinë Hard, në të cilën triumfoi Xhavit Avdili. Ai në cak arriti për 04:29.777 minuta. Në podiumin e fituesve u gjendën edhe Adem Hajdari (04:32.891) dhe Besim Tahiri, i cili në cak arriti për 04:35.612 minuta.



