Në një përballje të vlefshme për Botërorin e Klubeve, mbrëmjen e kaluar u zhvillua ndeshja mes PSG-së dhe Atletico Madridit, ku kampionët e Evropës konfirmuan dominimin e tyre duke triumfuar me rezultat të thellë 4-0 ndaj skuadrës spanjolle.
Ndeshja u zhvillua në Pasadena të Kalifornisë, disa kilometra larg Los Angelesit, ku temperaturat e larta krijuan vështirësi serioze për lojtarët. Për shkak të vapës ekstreme, ndeshja u ndërpre disa herë me pauza për freskim dhe rikuperim, transmeton AutoPortali.
Pas takimit, mesfushori i Atleticos, Marcos Llorente, nuk i kurseu kritikat për kushtet në të cilat u zhvillua ndeshja.
“Është e pamundur të luash në këtë vapë dhe në këtë orar. Është përvëluese. Më dhembnin edhe thonjtë e këmbëve. Nuk mund të vrapoja si duhet. Është e pabesueshme. Por, përderisa ishte e njëjtë për të gjithë, nuk mund ta përdorim si justifikim,” u shpreh ai për mediat.
Fitorja bindëse e PSG-së shërben si sinjal i fortë për formën e tyre, ndërsa Atleticos i duhet të reflektojë para ndeshjeve të ardhshme në këtë kompeticion.



