Piloti i Mercedesit, George Russell, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur pas fitores në Çmimin e Madh të Kanadasë, por edhe për podiumin e parë të shokut të skuadrës, Andrea Kimi Antonelli.
“Shumë i lumtur që pashë Kimi-n në podium. Ishte një ditë fantastike për të gjithë ekipin. Faleminderit të gjithëve që kanë punuar fort për këtë sukses”, tha ai për BBC.
Russell arriti fitoren e parë të sezonit dhe të katërtën në karrierë. Ai theksoi se ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë e shfrytëzoi maksimalisht pozicionin e parë në nisje falë një xhiroje të shkëlqyer kualifikuese.
Ai shtoi se kushtet e freskëta si në Kanada i përshtaten makinës së Mercedesit, dhe shpreson për një paraqitje të mirë edhe në garën e ardhshme në Austri, ku fitoi vitin e kaluar.
Vendin e dytë e zuri Max Verstappen, i cili tha se Red Bull dha maksimumin: “Ishte një garë me sulme dhe mbrojtje, por morëm gjithçka që mundëm.”

Antonelli, që doli i treti, tha: “Ishte shumë stresuese, por pata një nisje të mirë dhe ruajta pozicionin. Në fund kisha probleme me gomën e përparme, por jam shumë i lumtur.”
Gara u mbyll me një incident mes Oscar Piastri dhe Lando Norris. Piastri përfundoi i katërti dhe kryeson renditjen e përgjithshme me 198 pikë, ndjekur nga Norris (176), Verstappen (155) dhe Russell (136).
Kampionati vijon pas dy javësh në Austri.



