Trajneri i ri i Manchester United, Ruben Amorim, ka nisur rindërtimin e skuadrës duke e fokusuar vëmendjen te linja sulmuese.
Një nga emrat që ka dalë në krye të listës është ylli brazilian i Barcelonës, Raphinha, transmeton AutoPortali.
Sipas mediumit katalanas 3cat, klubi anglez ka bërë një ofertë marramendëse prej 150 milionë eurosh, e cila ka befasuar drejtuesit e Barcelonës.
Raphinha konsiderohet si lojtar kyç në skemat e trajnerit të ri të Barcës, Hans-Dieter Flick, dhe largimi i tij nuk ka qenë në plan.
Në sezonin e fundit, Raphinha ka pasur një paraqitje të jashtëzakonshme duke shënuar 34 gola dhe dhënë 25 asistime në 57 ndeshje – një nga lojtarët më produktivë në Evropë.
Forma e tij e lartë dhe eksperienca e mëparshme në Premier League e bëjnë atë një opsion tërheqës për skuadrën nga “Old Trafford”.
Pavarësisht se lojtari është i kënaqur me rolin e tij aktual në Barcelonë, presioni financiar dhe oferta e majme e United mund të bëjnë që bordi i klubit katalanas të rishqyrtojë strategjinë e merkatos, veçanërisht duke pasur parasysh interesimin për emra si Nico Williams dhe Luis Díaz, të cilët mund të sjellin freski në krahët ofensivë.
Qëndrimi i Raphinhës për momentin mbetet i paqartë, lojtari nuk ka dhënë deklarata publike mbi interesimin e United, ndërsa spekulimet rreth të ardhmes së tij po intensifikohen për çdo ditë.



