Prishtina mëson kundërshtarin për European League
P

Prishtina mëson kundërshtarin për European League

FC Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25, ka mësuar emrin e kundërshtarit të saj për raundin e parë të kualifikimeve në European League UEFA.

Shorti, i hedhur këtë të martë në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, nuk rezultoi aspak i favorshëm për kryeqytetasit, transmeton AutoPortali.

Skuadra më e titulluar në futbollin kosovar do të përballet me Sheriff Tiraspol, kampionin e shumëfishtë të Moldavisë dhe një klub me përvojë të gjerë në arenën evropiane.

Sheriff ka fituar emër për paraqitjet e tij në garat ndërkombëtare, përfshirë edhe suksesin historik ndaj Real Madridit në sezonin 2021/22 të Champions League.

Ndeshjet e këtij raundi do të zhvillohen më 10 dhe 17 korrik 2025. Sipas kalendarit të publikuar nga UEFA, Prishtina do ta zhvillojë takimin e parë si mysafire në Moldavi, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pavarësisht vështirësisë së shortit, bardhekaltrit synojnë një paraqitje të denjë dhe shpresojnë në një rezultat pozitiv që mund të shkaktojë befasi.

Përballja me një ekip si Sheriff përfaqëson një sfidë të madhe për skuadrën e Prishtinës, por gjithashtu është një mundësi për të treguar rritjen e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

TË FUNDIT