Çdo sezon, shumë futbollistë ëndërrojnë të veshin fanellën e Real Madridit, dhe shpesh rrethi i tyre i afërt punon për t’i afruar te klubi i madh spanjoll. Aktualisht, kjo situatë vlen për sulmuesin suedez Viktor Gyökeres, i cili së fundmi është propozuar si një përforcim potencial për repartin ofensiv të “Los Blancos”, transmeton AutoPortali.
Gyökeres ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me Sportingun e Portugalisë, duke qenë një nga surprizat më të mëdha të kampionatit dhe duke luftuar deri në fund për titullin e golashënuesit më të mirë.
Në moshën 27-vjeçare dhe me kontratë deri në vitin 2028, ai është konsoliduar si një sulmues me nivel të lartë, duke tërhequr interesin e shumë klubeve të njohura evropiane.
Sipas gazetarit Mario Cortegana, përfaqësuesit e Gyökeres kanë sugjeruar Real Madridin si destinacion të mundshëm për sulmuesin. Megjithatë, drejtuesit e klubit spanjoll kanë refuzuar këtë mundësi, kryesisht për shkak të kostos së lartë (vlera e lojtarit është rreth 75 milionë euro) dhe për shkak se profili i tij nuk përputhet me planet e stafit teknik.
Real Madrid preferon një sulmues me karakteristika të ngjashme me Joselun – një lojtar i besueshëm, i gatshëm të marrë një rol dytësor në ekip. Ndërsa Gyökeres pritet të jetë titullar në shumicën e skuadrave ku luan, gjë që e bën më të vështirë përfshirjen e tij në projektin aktual të “Los Blancos”.
Pavarësisht këtij refuzimi, sulmuesi nuk do të ketë mungesë ofertash, pasi performanca e tij e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re. Disa klube të mëdha evropiane tashmë po e ndjekin nga afër, ndërsa e ardhmja e tij do të varet shumë nga qëndrimi që do të mbajë Sporting në javët në vijim./AutoPortali/



