Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka komentuar suksesin e klubit dhe formën e disa prej yjeve të rinj që udhëhoqën ekipin drejt tripletës vendase, përcjell AutoPortali.
Në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit, Flick tha se që në përgatitjet parasezonale kishte marrë sinjale pozitive. “Kryepërgatitësi Julio Tous më tha: ‘Me atë që po shoh, do ta fitojmë La Ligën.’ Dhe kishte të drejtë,” u shpreh ai.
Barcelona fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën, ndërsa në qendër të suksesit ishin emrat e rinj si Lamine Yamal, Pedri dhe Raphinha.
Për Yamal, adoleshentin 17-vjeçar, Flick tha: “Ai është një gjeni. Por për të qëndruar në nivelin më të lartë për 15 vitet e ardhshme, duhet punë e madhe dhe përgatitje mendore.”
Gjermani foli me vlerësim edhe për Raphinhan, i cili sipas tij kishte humbur vetëbesimin, por riktheu formën: “Ka cilësi, zemër dhe punon shumë edhe në mbrojtje. Ka shumë potencial.”
Ndërkohë, për Pedrin, Flick tha se është kënaqësi ta shohësh me topin: “Vetëm 22 vjeç, por ka pjekuri në lojë. Mund të bëhet lider i së ardhmes.”
Në fund, tekniku theksoi se sfida e radhës është të ruajë nivelin dhe të përmirësojë aspektin defensiv: “Nëse këta lojtarë mbeten në formë, Barça do të jetë një pretendente serioze në Spanjë dhe Evropë.”/AutoPortali/



