Një nga garat më legjendare të Kampionatit Botëror të rally-ve, Rally Acropolis, nis sot (e enjte) në Greqi dhe pritet të ofrojë sfidë ekstreme për pilotët dhe makinat në kushte të nxehta dhe terren të vështirë.
I pranishëm në garë, i ftuar nga organizatori, do të jetë edhe ish-kryetari i FASK-ut, z.Ismet Rexhepi.
Gara zhvillohet në periudhën 26–29 qershor, me bazën e saj në Lamia, ndërsa starti ceremonial dhe super-specialja hapëse prej 1.5 kilometrash janë vendosur në qendër të Athinës, pranë Zappeionit.
Ky edicion përfshin 17 etapa speciale, me gjithsej 345 kilometra konkurrues. Terrenet përfshijnë sipërfaqe të vështira guri dhe pluhuri, ndërsa temperaturat në rajon priten të arrijnë deri në 40°C.
Risia e këtij viti është rikthimi i disa etapave klasike në rajonin e Tesalisë pas 30 vitesh, përfshirë Stiri, Smokovo dhe “Power Stage” vendimtare në Tarzan, një ndër pjesët më epike të kësaj gare.
Kush janë favoritët?
Piloti belg Thierry Neuville (Hyundai) ka bërë hapin e parë të suksesshëm duke regjistruar kohën më të mirë në sesionin “shakedown”. Hyundai dominon këtë garë, pas suksesit të trefishtë në edicionin e kaluar.

Ndërkohë, Elfyn Evans (Toyota) vjen si lider i kampionatit me 133 pikë, por do ta ketë të vështirë, pasi nis i pari në rrugët me pluhur, një disavantazh klasik në rally.
Një garë e vërtetë legjendash
Rally Acropolis mbetet një provë force dhe qëndrueshmërie për automjetin, ekipin dhe pilotin. Tradita e saj e gjatë dhe natyra e pamëshirshme e bëjnë këtë garë një nga më të priturat e sezonit.
Programi
E enjte (26 qershor): Shakedown + Ceremoni në Athinë
E premte–e shtunë: Etapat kryesore në Loutraki, Thiva, Pavliani, Karoutes
E diel (29 qershor): Etapat përmbyllëse në Smokovo dhe Tarzan Power Stage



