Motoçiklisti spanjoll në pension, Aleix Espargaro, do të debutojë në çiklizmin profesionist në Garën Rreth Austrisë nga 9 deri më 13 korrik, ka konfirmuar zyrtarisht ekipi i tij, Lidl-Trek. Megjithatë, përpara këtij debutimi, Espargaro e pret Çmimi i Madh i Holandës në MotoGP, ku do të zëvendësojë të dëmtuarin Luca Marini.
Espargaro e përfundoi karrierën e tij në MotoGP në fund të sezonit të kaluar, por mbeti në botën e motorsporteve si testues për Hondën. Paralelisht, ai u përkushtua ndaj çiklizmit, ku ka marrë pjesë tashmë në disa gara, por debutimi i tij profesionist do të ndodhë për dy javë.
Megjithatë, përpara këtij sfide, Ales do të rikthehet në pistë, pasi ende nuk dihet se kur do të jetë gati Marini për shkak të lëndimeve të marra gjatë përgatitjeve për garën 8 orëshe të Suzukas. Italianin fundjavën e kaluar në “Mugello” e zëvendësoi Takaki Nakagami, i cili e mbylli garën në vendin e 16-të.
Për motociklistin spanjoll kjo do të jetë gara e tretë këtë sezon, pasi më parë ka garuar në Jerez dhe në “Silverstone” me ftesa të posaçme. Në garën e zhvilluar në vendlindjen e tij ai u rendit i 17-ti, ndërsa në Çmimin e Madh të Britanisë u tërhoq pas një kontakti me Franco Morbidelli-n.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që do të mund të ndihmoj Hondën dhe të punoj me ekipin fabrikë këtë fundjavë në Assen. Shumë garues ëndërrojnë të jenë pjesë e ekipit zyrtar të Hondës, dhe fakti që kam këtë mundësi është një surprizë dhe një kënaqësi, edhe pse është e përkohshme. Në dy garat e mëparshme këtë vit kam arritur të përparoj dhe shpresoj që tani të jem më afër konkurrentëve. Kam kujtime të bukura nga Assen dhe do të jetë interesante të shohim Hondën aty, pasi është një pistë ndryshe nga ato në të cilat zakonisht testoj,” tha Aleix.
Sfida e tij e parë në çiklizmin profesioist do të jetë një garë malore vetëm dhjetë ditë pas Çmimit të Madh të Holandës.

“Duhet gjithmonë të besosh në veten tënde, të jepen shumë mundësi gjatë karrierës. Vendosa të provoj veten në çiklizëm dhe mendoj se mundem. E shoh këtë edhe si një shembull për të gjithë ata që kanë një ëndërr. Për më tepër, dua të jem mentor për ekipin zhvillimor, që është më i miri në botë. Ata ju ndihmojnë të rriteni si sportist profesionist, por edhe si person. Dua të jem kjo për çiklistët në World Tour në momentet e vështira, si në rrugë, ashtu edhe jashtë saj”, theksoi Espargaro.
Aktivitetet për Çmimin e Madh të Holandës do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën në Assen.



