Prishtina drejt Evropës, Gallapeni: “Jemi gati, synimi të shkojmë sa me lartë në garat evropiane”
P

Prishtina drejt Evropës, Gallapeni: “Jemi gati, synimi të shkojmë sa me lartë në garat evropiane”

Fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, FC Prishtina do të fillojë rrugëtimin  në garat evropiane këtë sezon, më saktësisht në Europa League.

Ylli i skuadrës së Prishtinës, Dion Gallapeni, ka folur për AutoPortalin, duke treguar se sa janë të gatshëm për këto gara, ndërsa beson fuqishëm tek grupi aktual i futbollsitëve.

“Pritëshmëritë janë shumë të mëdha, të arrijmë sa më lart në garat evropiane. Tani jemi njohur edhe me kundërshtarët e të cilët mendojmë se janë të konkurueshëm për ne e që besoj e shpresoj që është momenti që të arrihen grupet” – ka thënë Gallapeni.

Skuadra nga kryeqyteti do të përballet me Sheriff Tiraspol skuadër nga Moldavia, ndërsa llogaritet “arrë” e fortë për Prishtinën. Gallapeni tha se e konsideron Sheriff-in në një nivel të njëjtë me Prishtinën, andaj ndeshja pritet të jetë e zjarrtë.

“Kundërshtari që ne kemi përballë në Europa League mendoj se është i konkurueshëm për ne, vlerësoj se jemi përafërsisht në nivelin e njëjtë sa i përket kualitetit, ndoshta përparësia e vetme e tyre do të jetë përvoja në garat evropiane e që unë besoj që kjo nuk do të ndikojë aspak tek ne, pasiqë ata mund të kenë përvojë, por ne kemi motiv të jashtëzakonshëm. Asgjë nuk është e pamundur, nëse i kalojmë e që besoj se do të ndodhë, nuk do të jetë aspak befasi” – ka thënë Gallapeni.

Pa marrë parasysh kundërshtarin, edhe trajneri Arsim Thaçi, është shprehur optimist për ndeshjen që do të zhvillohet më 10 korrik.

“Në garat evropiane kuptohet që nuk ka ekipe të lehta. Ne do të provojmë të ‘nxjerrim’ maksimumin në këto gara edhe sa më lart që shkojmë, kuptohet që është interes për klubin dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi”, është shprehur timonieri i bardhekaltërve.

Thaçi gjithashtu tha për AutoPortalin, se përgatitjet janë duke shkuar në mënyrën më të mirë, kurse bëri të ditur se skuadra e kryeqytetit ende nuk ka mbyllur merkaton, ndërsa ditët në vijim pritet të zyrtarizohen edhe disa përforcime tek skuadra.

“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë, kushtet janë shumë të mira, do te zhvillojmë disa ndeshje miqësorë si test për të kontrolluar ekipin se si është stërvitur dhe kuptohet edhe me përgatit për ndeshjen e parë kundër Sheriff Tiraspolit. Transferet nuk kanë përfunduar ende, edhe pse kemi marrë disa lojtarë, mirëpo deri në përfundim të afati kalimtar besoj se do të kemi edhe ndonjë prurje cilësore për ta rritur cilësinë e grupit” – ka thënë Thaçi

Klubi më i vjetër kosovar, arriti që në finale të Kupës së Kosovës të shënojë fitore ndaj KF Llapit dhe duke siguruar pjesëmarrjen e shumë pritur në garat evropiane.

Skuadra e kryeqytetit që nga sezoni 2021/22, nuk ka arritur të dalë në Evropë edhe pse në sezonin 2022/23 e fitoi Kupën e Kosovës, mirëpo, pati probleme me moslicencim, andaj një gjë e tillë nuk ishte realizuar.

Mirëpo kjo gjë tanimë është rregulluar dhe në sezonin 2025/26, “Plisat” do të zbarkojnë në Evropë.

Nëse FC Prishtina nuk arrin të shënojë fitore ndaj skuadrës së Moldavisë, atëherë do të vazhdojë garat ne Conference League, ku kundërshtarë do të kenë fituesin e duelit Larne-Auda. /AutoPortali/ Kasim Gerbeshi

TË FUNDIT