Piloti i McLaren-it, Lando Norris, deklaroi se gara në Austri ishte shumë e lodhshme, por është i lumtur për rezultatin e shkëlqyer të ekipit në pistën e Spielbergut.
“Ishte një garë e vështirë, shtyem deri në fund, ishte e ndërlikuar, nxehtë dhe lodhshme. Ky është rezultati i përsosur për ekipin, vendi i parë dhe i dytë është pikërisht ajo që duam, dhe e arritëm sërish, kështu që jam shumë i lumtur”, tha Norris, i cili regjistroi fitoren e tij të shtatë në karrierë në Austri, dhe të tretën këtë sezon, njofton BBC.
Shoku i tij i skuadrës, Oscar Piastri, përfundoi në vendin e dytë dhe në deklaratën pas garës theksoi se dueli me Norris-in ishte shumë intensiv.
“Shpresoj që ishte emocionuese për t’u parë, sepse nga kabina ishte mjaft lodhëse. Dhashë maksimumin, por mund të kisha bërë një punë më të mirë në momentin kur për pak çaste mora drejtimin (në xhiron e 11-të)”, shtoi Piastri, i cili kryeson renditjen e përgjithshme pas 11 garave të këtij sezoni.
Gara u shënua nga një incident që në fillim, kur piloti i Mercedes-it, Andrea Kimi Antonelli, nxori nga pista kampionin katër herë radhazi të botës, Max Verstappen nga Red Bull-i.

Në renditjen e përgjithshme, Piastri kryeson me 216 pikë, i ndjekur nga Norris me 15 pikë më pak, ndërsa Verstappen mban vendin e tretë me 155 pikë.
Kampionati vazhdon më 6 korrik me Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe në pistën e Silverstone.



