LeBron James pritet të përfitojë 52.6 milionë dollarë nga kontrata me Los Angeles Lakers për sezonin 2025-26 dhe të bëhet basketbollisti i parë në histori të NBA-së që luan në sezonin e 23-të.
Lajmi u bë i ditur nga “Associated Press”, ndërsa burime të afërta thanë se as Jamesi e as klubi nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht, transmeton AutoPortali.
Raportimet e para erdhën nga “ESPN” dhe “The Athletic”. Pas një pushimi për shkak të dëmtimit të gjurit, James është rikthyer në stërvitje dhe ka deklaruar se pret të jetë plotësisht gati për kampin stërvitor në fund të shtatorit. Kjo përforcon idenë se ai synon të thyejë rekordin e Vince Carterit për karrierën më të gjatë në NBA.
James, 41 vjeç në dhjetor, ka luajtur 21 nga 22 sezonet e mundshme dhe është përzgjedhur më shumë se 15 herë në ekipin e NBA-së, një arritje që askush tjetër nuk e ka kaluar. Sezoni i ardhshëm do të jetë i pari i plotë me Luka Donçiqin si bashkëlojtar, pas transferimit të tij nga Dallas në shkurt.
Në sezonin e fundit, James regjistroi mesatarisht 24.4 pikë, 7.8 kërcime dhe 8.2 asistime. Ai ka luajtur në 1562 ndeshje të sezonit të rregullt dhe i mungojnë vetëm 49 për të thyer rekordin historik të Robert Parish me 1611 paraqitje. Nëse mbetet i shëndetshëm, edhe ky rekord pritet të bjerë.



