Për garuesit tanë të disiplinës malore as në këtë fundjavë nuk do të ketë pushim. Menjëherë pas garës në Kullë, ata i pret një tjetër sfidë e madhe, ajo “Scanderbeg Trophy 2025”, që mbahet në Krujë.
Duke marrë parasysh se gara është e vlefshme për Kampionatin e FIA CEZ, por edhe për Kampionatin e Kosovës, numri i garuesve tanë që tashmë kanë aplikuar për garë është mjaft i madh.
Në fakt, në Krujë numri më i madh i pjesëmarrësve është nga Kosova, ndërsa aty do të jenë edhe garues nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia e Serbia.
Pa dyshim që favoriti kryesor për të fituar shihet anëtari i AK Dubrovnik, Laszlo Szasz i cili me Reynard po vazhdon të shkëlqejë në shtigjet e garave, ashtu siç bëri edhe në fundjavën e kaluar në Kullë.
Sigurisht që edhe garuesit tjerë i kanë synimet e tyre për renditje sa më të mirë në klasat e tyre përkatëse dhe në plasmanin e përgjithshëm.
Gara “Scanderbeg Trophy 2025” mbahet më 5 e 6 korrik.



