Gara më prestigjioze e basketbollit në Evropë do të vijojë vetëm me emrin e saj zyrtar, “Euroliga”, pa sponsor në emërtim.
Lajmi u konfirmua përmes një postimi në rrjetet sociale të organizatës, ku theksohej se kjo shënon fillimin e një “epoke të re dhe të guximshme” për kompeticionin, përcjell AutoPortali.
“Ky evolucion strategjik nënkupton gjithashtu fundin e një partneriteti të gjatë me kompaninë Turkish Airlines, e cila ka qenë sponsori kryesor që nga viti 2010”, thuhet në deklaratë.
New logo update ℹ️ pic.twitter.com/Jlw3dzratP
— EuroLeague (@EuroLeague) July 1, 2025
Organizata falënderoi Turkish Airlines për kontributin në zhvillimin e garës ndër vite, duke e cilësuar këtë si një nga bashkëpunimet më të suksesshme në historinë e sportit evropian.
Pas 25 vitesh rritje të qëndrueshme, Euroliga synon të hyjë në një fazë të re transformimi, me qëllim zgjerimin global dhe thellimin e përfshirjes së tifozëve në eksperiencën e garës. Udhëheqësit e saj shprehën përkushtimin për të ofruar më shumë vlerë për klubet pjesëmarrëse, partnerët dhe publikun sportdashës.
Ky ndryshim vjen si pjesë e një vizioni të ri strategjik, që synon të forcojë edhe më tej pozitën e Euroligës në skenën ndërkombëtare të basketbollit.



