Marcus Rashford shkëlqeu gjatë huazimit te Aston Villa, por tashmë është rikthyer te Manchester United, ku e pret një sfidë e re në karrierën e tij.
“Djajtë e Kuq” po shqyrtojnë mundësinë e një largimi të përhershëm për sulmuesin anglez, i cili ka zgjuar interesim të madh nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
27-vjeçari nuk ka arritur të rikthejë formën e tij më të mirë në Old Trafford që nga sezoni i shkëlqyer 2022/23.
Me mungesë të vazhdueshmërisë në minutazh dhe hapësirë të kufizuar në sulm, Rashford u huazua në janar te Aston Villa.
Nën drejtimin e trajnerit Unai Emery, ai riktheu vetëbesimin duke dhënë paraqitje solide dhe duke ndikuar pozitivisht në performancën e skuadrës.
Megjithatë, pas përfundimit të huazimit dhe kthimit në Manchester, roli i Rashford në formacionin e parë nuk duket i garantuar, duke lënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në “Teatrin e Ëndrrave”.
Sipas mediave spanjolle, Barcelona po ndjek me kujdes zhvillimet rreth lojtarit, duke e parë atë si një përforcim të mundshëm për repartin ofensiv, nëse klubi mund të arrijë një marrëveshje të favorshme, transmeton AutoPortali.
Por konkurrenca është e fortë dhe e shumëfishtë. Sipas mediave gjermane, Bayern Munich është futur në garë për nënshkrimin e Rashford, duke e parë atë si një alternativë kryesore për sulmuesin e krahut të majtë që kërkojnë.
Gjiganti bavarez synon të sigurojë shërbimet e anglezit për një shifër rreth 46.5 milionë euro, duke tentuar të marrë avantazh në këtë betejë të fortë transferimi. /AutoPortali/



