Vetëm pak ditë më parë u raportua se Lionel Messi mund të largohet nga Inter Miami në fund të kontratës së tij që përfundon në dhjetor të këtij viti.
Sulmuesi argjentinas, i cili sapo mbushi 38 vjeç, po shqyrton me kujdes të ardhmen, ndonëse kontrata e tij është ende në fuqi.
Mediat argjentinase raportuan se Messi mund të transferohet në një kampionat më konkurrues se MLS, për t’u përgatitur më mirë për Kupën e Botës 2026, që pritet të jetë edhe kompeticioni i fundit për të me përfaqësuesen e Argjentinës.
Këto lajme shqetësuan MLS-në, ku drejtori i komunikimit i Inter Miami, Mahonry Mendoza, reagoi për të qetësuar tifozët, duke theksuar se Messi është ylli më i madh i kampionatit dhe largimi i tij para Kupës së Botës do të ishte një humbje e madhe për imazhin e ligës.
Sipas gazetës spanjolle Marca, situata është më e qet, Messi ka kontratë deri në fund të vitit 2025 dhe marrëdhëniet me klubin janë pozitive. Të dyja palët janë të përkushtuara për vazhdimësi dhe po diskutojnë për rinovimin e kontratës ose për qëndrimin deri në përfundim të saj, përcjell AutoPortali.
Inter Miami shpreson ta mbajë Messin deri në verën e vitit 2026, kur mbahet Kupa e Botës, duke e konsideruar atë jo vetëm një ikonë sportive, por edhe një aset të rëndësishëm tregtar.
Ndërkohë, edhe pse kanë përfolur mundësi transferimi në Arabinë Saudite, aktualisht Messi nuk ka marrë vendim përfundimtar.



