Trump zbulon detajet për zhvillimin e meçit të UFC  në oborrin e Shtëpisë së Bardhë
T

Trump zbulon detajet për zhvillimin e meçit të UFC  në oborrin e Shtëpisë së Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka propozuar një ide tejet të pazakontë dhe spektakolare.

Bëhet fjalë për organizimin e një ndeshjeje të madhe të UFC-së në zemër të Uashingtonit, pikërisht në  oborrin përpara Shtëpisë së Bardhë.

Ngjarja do të shërbente si një ndër aktivitetet kryesore për të festuar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një jubile historik që pritet të shënohet me aktivitete të shumta në mbarë vendin.

Trump, i njohur për idetë e tij ekstravagante dhe lidhjet e ngushta me botën e sporteve, e ka quajtur këtë plan plotësisht të realizueshëm.

“Ka shumë tokë në atë zonë. Imagjinoni një ndeshje të UFC-së me 20,000 apo edhe 25,000 spektatorë aty, do të ishte diçka vërtet e jashtëzakonshme,” – ka thënë Trump, përcjell AutoPortali.

Sipas tij, jo vetëm që do të ishte një ngjarje argëtuese për publikun amerikan, por edhe një mënyrë për të vënë në pah frymën e lirisë, guximit dhe garës që përfaqëson kombi amerikan.

Trump shtoi gjithashtu se çdo park kombëtar, fushë beteje historike dhe vend i rëndësishëm simbolik në SHBA do të jetë pjesë e aktiviteteve përkujtimore të këtij jubileu.

Megjithëse ende nuk janë dhënë detaje konkrete për organizimin e ngjarjes, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi për mediat se Trump është “shumë serioz” në lidhje me këtë ide dhe se po zhvillohen diskutime paraprake për mundësinë e realizimit të saj.

Trump ka shfaqur vazhdimisht interes të madh për UFC-në dhe është parë shpeshherë në rreshtat e parë të ndeshjeve të organizatës.

Ai gjithashtu ka marrëdhënie miqësore me presidentin e UFC-së, Dana Ëhite, me të cilin është takuar së fundmi për të diskutuar mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.

Nëse kjo ide merr dritën jeshile, Shtëpia e Bardhë mund të shndërrohet për një natë në një arenë të vërtetë sportive, ku do të takohen spektakli, historia dhe patriotizmi amerikan në një mënyrë krejt të pazakontë. /AutoPortali

TË FUNDIT