Kushtrim Bytyqi është duke kaluar një periudhë shumë të mirë në rrafshin sportiv.
Anëtari i AK Ferizajt, në tri garat e deritashme të disiplinës malore, ka pasur rezultate shumë të mira.
I dyti në plasmanin e përgjithshëm në Krujë (kampionati vendor), i dyti në Kullë dhe i katërti në Grashticë, ndërsa i pari në tri garat për Klasën 3, është bilanci i deritashëm i tij.
Kushtrimi është shprehur i kënaqur me paraqitjet në tri garat e para.
“Në përgjithësi jam i kënaqur me ecurinë e deritashme në gara. Kam fituar tri garat e para në Klasën 3, por edhe në plasmanin e përgjithshëm jam mirë. Vetura është në gjendje të mirë, unë në çdo garë e jam maksimumin dhe shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë”, ka thënë Bytyqi.
Kushtrimi është optimist që edhe në vazhdim të kampionatit Renault Clio “ta dëgjojë” ashtu si deri tash dhe të vazhdojë me rezultate të mira.
“Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë edhe në garat që kanë mbetur dhe në fund të renditem sa më mirë si në Klasën 3, ashtu edhe në plasmanin e përgjithshëm”, ka shtuar Bytyqi.
Sfida e radhës për garuesit e disiplinës malore do të jetë gara në Brezovicë, e cila mbahet më 19 e 20 korrik.




