Jorge Martin është rikthyer në motor. Kampioni në fuqi i Moto GP-së ka kryer një provë në pistën e Montmelos në Barcelonë, me një Aprilia RSV4. 27-vjeçari spanjoll njoftoi në rrjetet sociale rikthimin mbi motor, duke ndarë edhe dy foto, njërën në bokse dhe tjetrën duke drejtuar në pistë.
“Nuk kam pasur kurrë frikë, përsëri në motor, pas tre muajsh”, ishte mesazhi i shkurtër i pilotit. Në fakt, duke përjashtuar paradën në Aprilia “All Star” në qershor, Jorge nuk ka qenë në motor që nga Çmimi i Madh i Katarit më 13 prill, një event i pafat për të. Në atë rast, piloti u rrëzua dhe pësoi një dëmtim serioz, duke marrë fraktura të shumta në brinjët e kraharorit.

Testi i Martinit vjen disa ditë pas rezultateve të kontrolleve mjekësore për të vlerësuar procesin e tij të rikuperimit. Për momentin, piloti i Aprilias nuk është autorizuar të kthehet në pistë në Moto GP. Rikuperimi pas dëmtimit po ecën mirë, por ende nuk është i plotë, duke i detyruar kështu mjekët të shtyjnë kthimin e tij me të paktën dy javë. Është e pamundur ta shohim atë në aksion në Sashsenring, me spanjollin që do të humbasë edhe Çmimin e Madh të Gjermanisë, event që do të zhvillohet mes 11 dhe 13 korrikut. Stërvitja në Montmelo, megjithatë, mund të jetë një shenjë e mirë drejt Brnos. Çmimi i Madh i Republikës Çeke është planifikuar nga 18 deri në 20 korrik dhe Jorge mund të ketë kohën e nevojshme për t’u rikthyer. Por gjithçka do të varet nga lëvizjet e ardhshme.



