Pas nesh ka mbetur një fundjavë kaotike në Silverstone. As që pritëm më pak në Britaninë e Madhe, ku kushtet atmosferike diktojnë gjithmonë zhvillimet në pistë. Në fund, pas shiut, doli dielli për Lando Norrisin i cili festoi para bashkëkombasve dhe tani, në gjysmën e sezonit, ka vetëm tetë pikë më pak se Oscar Piastri.
Australiani bëri një gabim të madh kur shtypi gazin, pastaj frenat, ndërsa makinat ishin të renditura pas makinës së sigurisë. Kjo i kushtoi me një dënim prej dhjetë sekondash dhe vetëm vendin e dytë në Silverstone. Piastri tha se “dënimi ishte shumë i ashpër”, gjë me të cilën u pajtua edhe Max Verstappen, i cili ishte menjëherë pas pilotit të McLaren dhe mund të përplasej me pjesën e pasme të makinës së tij. Max-it nuk i pëlqen kur pilotët ndëshkohen, e ka ndjerë shpesh në kurrizin e tij…
“Pas garës dëgjova që Oscar u dënua me dhjetë sekonda. Sigurisht që është një ndëshkim ekstrem, dhjetë sekonda për atë… Por unë nuk i krijoj rregullat. Edhe unë jam ndodhur disa herë në situata të ngjashme”, tha Verstappen, i cili startoi nga “pole position”, por e përfundoi garën në vendin e pestë.

Niko priti 5.593 ditë për një trofe
Njeriu i ditës, megjithatë, ishte Nico Hulkenberg, i cili kaloi i treti vijën e finishit. Në Çmimin e tij të Madh të 239-të, ai u ngjit për herë të parë në podium me makinën e Sauberit, ndoshta makina më modeste që ka drejtuar ndonjëherë. Skuadra që sezonin e ardhshëm bëhet Audi bëri një punë të shkëlqyer me strategjinë, duke i mundësuar Hulkenbergut që pas 5.593 ditësh nga debutimi në F1, më në fund të shijonte ndjesinë e qëndrimit në podium.
“Ende e kam të vështirë ta kuptoj çfarë ka ndodhur. E dinim që duhej të vepronim ndryshe nga të tjerët për të bërë mrekullinë në këto kushte të vështira dhe ia dolëm. Ishte një nga ato garat pa gabime. Nga fundi, më duhej të kujdesesha që ta mbaja Lewis Hamiltonin pas vetes. E di që Silverstone është pista e tij dhe e dija sa i shpejtë është. Emocionet janë ende shumë të forta për ta përjetuar realisht atë që më ndodhi”, u shpreh sinqerisht Hulkenberg.
Piloti i Sauberit, pas garës, mori dhurata nga kolegët dhe skuadrat e tjera të F1 dhe literalisht mund të lahej në shampanjë. Po ashtu, ai u bë edhe objekt i shakave të pafundme, sepse për vendin e tretë mori një trofe të bërë nga Lego!

E ndan, pastaj e ribën trofeun!
“Oscar më pyeti si u ndjeva kur pas 15 vjetësh mora një trofe që mund ta çmontosh e pastaj ta rindërtosh! Më pëlqejnë Lego-t, ashtu si edhe vajzës time Noemi. Jam i sigurt që do të kënaqet shumë, mund të luajmë bashkë”, shtoi Hulkenberg.
Tani na pret një pauzë trejavore, sepse gara e ardhshme zhvillohet më 27 korrik në pistën po aq legjendare të Spa-s për Çmimin e Madh të Belgjikës. Pas saj, pilotët e Formula 1 do të udhëtojnë në Hungari (3 gusht), përpara pushimeve verore që përfundojnë më 31 gusht në Holandë.




