Kosovare Asllani tregoi klasin e saj edhe një herë të martën mbrëma, duke udhëhequr Suedinë drejt një fitoreje bindëse 3:0 ndaj Polonisë në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian për femra, që po zhvillohet në Zvicër.
Ndeshja u zhvillua në Luzern, në praninë e mbi 14 mijë tifozëve, ku Suedia siguroi kalimin në çerekfinale dhe mbetet pretendente serioze për titullin, shkruan AutoPortali.
Kapitenja 35-vjeçare, me origjinë nga Mitrovica, asistoi në golin e parë të takimit dhe më pas shënoi vetë golin e dytë, duke treguar formë të shkëlqyer tek Kombëtarja suedeze.
Kjo ishte paraqitja e saj e 201-të me fanellën e Suedisë, ndërsa goli ishte i 49-ti në karrierën e saj tek Vikingët.
Përveç kontributit të drejtpërdrejtë në fitoren ndaj Polonisë, Asllani vendosi disa rekorde mbresëlënëse, ajo u bë lojtarja e parë në histori të Suedisë që a shënuar në katër Kampionate Evropiane (2009, 2013, 2022 dhe 2025).
Rekordi tjetër është se është lojtarja më e vjetër në moshë që ka shënuar me fanellën e Kombëtarës suedeze (35 vjet).
Ajo gjithashtu u bë futbollistja e parë suedeze që ka arritur 20 paraqitje në fazat finale të Kampionateve Evropiane.
Asllani pas ndeshjes u prononcua për faqen zyrtare të UEFA-s, ku tha se asnjëherë nuk ndien lodhje kur luan me fanellën suedeze.
“Asnjëherë nuk lodhem duke luftuar për këtë fanellë. Është gjithmonë e veçantë të shkruash histori, por për momentin jemi të përqendruara te suksesi i ekipit. Na pret një ndeshje e rëndësishme ndaj Gjermanisë,” deklaroi Asllani për faqen zyrtare të UEFA-s.
Suedia tashmë është kualifikuar për çerekfinale, por të shtunën do të përballet me Gjermaninë në Zurich për vendin e parë në grup.
Të dyja Kombëtaret kanë fituar dy ndeshjet e para, mirëpo Suedisë i mjafton një barazim për ta mbyllur grupin në krye.
Lojtarja me prejardhje shqiptare me mbi 200 paraqitje ndërkombëtare dhe një karrierë të shkëlqyer Kosovare Asllani vazhdon të jetë një nga figurat më të respektuara dhe një ndër më të famshmet në futbollin evropian për femra. /AutoPortali




