Trajneri i kombëtarës së Brazilit, Carlo Ancelotti, është dënuar me një vit burgim me kusht për evazion fiskal gjatë kohës që drejtonte Real Madridin.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, dënimi lidhet me mospagimin e taksave mbi të ardhurat e fituara nga të drejtat e imazhit në vitin 2014, transmeton AutoPortali.
Autoritetet fiskale spanjolle kishin ngritur padi ndaj Ancelottit për fshehje të të ardhurave nga reklamat dhe kontratat e sponsorizimit.
Ndërkohë, trajneri italian u lirua nga përgjegjësia penale për vitin financiar 2015, për të cilin gjykata konstatoi mungesë provash të mjaftueshme.
Për të zgjidhur përfundimisht çështjen ligjore, Ancelotti është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 386 mijë eurosh.
Dënimi me kusht nënkupton se 66-vjeçari nuk do të vuajë asnjë ditë burg, duke qenë se në Spanjë, dënimet për vepra jo të dhunshme nën dy vjet burgim zakonisht nuk ekzekutohen në mënyrë active, veçanërisht për personat pa precedentë penalë.
Sipas Sky Sport Italia, kjo çështje nuk pritet të ketë ndonjë ndikim në angazhimin e Ancelottit si trajner i kombëtares braziliane, detyrë të cilën e mori në maj pas përfundimit të mandatit të tij të dytë te Real Madridi. /AutoPortali



