Ish-pronari i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka reaguar pas shkarkimit të Christian Horner nga Red Bull, duke e cilësuar mikun e tij të vjetër “idiot” për përfshirjen në një skandal me mesazhe seksuale.
“Horner ishte një 50-vjeçar që mendonte se ishte 20, mendonte se ishte një nga djemtë”, tha Ecclestone për The Telegraph. Skandali që shpërtheu 18 muaj më parë, sipas tij, i hapi rrugën largimit të Horner pas 20 vitesh në krye të ekipit.
Ecclestone shtoi se drejtuesit në Austri mendonin se Horner kishte marrë shumë pushtet në dorë dhe sillej sikur Red Bull ishte “mbretëria e tij personale”. Ai e kritikoi gjithashtu Hornerin për dëshirën për të kontrolluar çdo aspekt të ekipit dhe për të mos deleguar përgjegjësi.
“Horner ishte mësuar të fitonte, por sapo ndalon së fituari, njerëzit fillojnë të shohin më nga afër dhe të mendojnë se mund ta bëjnë më mirë”, përfundoi Ecclestone.



