Stadiumi “Stade de Genève” përjetoi një nga momentet më të paharrueshme në historinë e futbollit zviceran të enjten mbrëma.
Në minutën e 92-të të ndeshjes vendimtare mes Zvicrës dhe Finlandës, një pasim i saktë nga Geraldine Reuteler dhe një përfundim spektakolar nga Riola Xhemaili shpëtuan përfaqësuesen helvete nga eliminimi, duke i siguruar kualifikimin historik në çerekfinale të Kampionatit Evropian për femra.
22-vjeçarja me prejardhje shqiptare, që u inkuadrua në lojë vetëm dhjetë minuta më parë, u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur, shkruan AutoPortali.
Ajo e dërgoi topin në rrjetë nga një distancë prej pesë metrash, duke vulosur rezultatin 1:1 dhe duke ndezur atmosferën mes më shumë se 26 mijë tifozëve të pranishëm në stadium.
Media zvicerane 20 Minuten e quajti “golin që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit zviceran”.
Ky nuk ishte thjesht një barazim, por një akt shpëtimi, një dëshmi force dhe vendosmërie nga një futbolliste që ka kaluar nëpër sfida të shumta gjatë vitit të fundit.
Pavarësisht një sezoni mbresëlënës me PSV Eindhoven, Xhemaili nuk ishte vazhdimisht pjesë e planeve të selektores Pia Sundhage, ku edhe e la jashtë në disa grumbullime.
“Është ndjenja më e mirë që kam ndjerë ndonjëherë. Është një ëndërr e bukur që u bë realitet.”
Zvicra është mes tetë më të mirave në Evropë dhe shpresat për një sukses të madh janë më të mëdha se kurrë. Falë një futbollisteje që besoi, luftoi dhe u kthye në simbol shprese për gjithë një komb. /AutoPortali




