Triumfi i Jannik Sinner në Wimbledon 2025, ka ngjallur debat në botën e tenisit edhe pse 23-vjeçari italian po feston një tjetër sukses madhor, Nick Kyrgios ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së tij.
Australiani ka rikthyer në vëmendje rastin e dopingut të Sinner nga muaji mars, kur ai rezultoi pozitiv për ‘clostebol’, një steroid i ndaluar, gjatë turneut Indian Wells.
Sipas tenistit dhe trajnerit të tij, substanca hyri në trup aksidentalisht përmes një spreji shërues gjatë masazhit.
Mediat angleze kanë raportuar se Agjencia e Integritetit në Tenis (ITIA) e pranoi këtë shpjegim dhe e liroi Sinner nga çdo përgjegjësi, transmeton AutoPortali.
Por WADA apeloi vendimin dhe pas një procesi ligjor, lojtari u pezullua për tre muaj, një periudhë që nuk ndikoi në pjesëmarrjen e tij në turnetë kryesorë, përfshirë French Open dhe Wimbledon.
Kyrgios, i njohur për deklaratat e drejtpërdrejta, e ka cilësuar rastin si “të neveritshëm për sportin”.
Ndërkohë, Sinner ka shmangur komentet publike, duke qëndruar pas qëndrimit se gjithçka ishte një aksident dhe se vendimi i ITIA konfirmon pafajësinë e tij.
Pavarësisht triumfit historik në Wimbledon, rasti i Sinner ka hapur një debat më të gjerë mbi drejtësinë dhe transparencën në sistemin antidoping të tenisit. /AutoPortali




