Trajneri i njohur portugez, Jorge Jesus, ka zbuluar se ishte pikërisht Cristiano Ronaldo ai që luajti rolin kyç në vendimin e tij për t’u bashkuar me Al Nassr, klubin saudit që tashmë po shndërrohet në një forcë gjithnjë e më serioze në futbollin aziatik dhe botëror.
Në deklaratën e tij për mediat, Jesus e bëri të qartë se pa ndërhyrjen dhe ftesën personale të Ronaldos, ai nuk do të kishte marrë drejtimin e skuadrës nga Arabia Saudite.
“Cristiano Ronaldo më kontaktoi personalisht për t’iu bashkuar Al Nassr. Në të kundërtën, nuk do të isha këtu,” – u shpreh Jorge Jesus, transmeton AutoPortali.
Trajneri, i cili ka një përvojë të pasur në pankinat e klubeve të mëdha si Benfica, Flamengo dhe Fenerbahçe, tha gjithashtu se nuk bëhet fjalë thjesht për fitore, por për diçka më të madhe.
“Ne nuk luajmë vetëm për të fituar ndeshje, por për të shkruar histori. Me Cristiano Ronaldon, ky është objektivi ynë.”
Ronaldo i cili është figura kryesore në projektin e skuadrës arabe, ka zgjedhur të qëndrojë në klub edhe për dy vite të tjera, ku rinovoi së fundmi kontratën e tij.
Prania e tij po tërheq emra të mëdhenj nga futbolli evropian dhe në këtë rast ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në zgjedhjet e stafit teknik.
Al Nassr synon jo vetëm dominimin në kampionatin saudit, por edhe suksesin në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në kompeticionet aziatike. /AutoPortali.



