Tarifat nuk i ndalin, Amerika mbetet prioritet për prodhuesit aziatikë të veturave
T

Tarifat nuk i ndalin, Amerika mbetet prioritet për prodhuesit aziatikë të veturave

Toyota dhe Hyundai mund të jenë në konflikt me proteksionizmin amerikan, por kanë një gjë të përbashkët me Donald Trumpin: kur bëhet fjalë për tregun global të veturave, për gjigantët aziatikë të automobilizmit prioritet mbetet SHBA-ja.

Tarifat e vendosura nga Trump për veturat e importuara kanë tronditur perspektivën e industrisë globale, por Shtetet e Bashkuara mbeten tregu më i rëndësishëm për Toyota-n japoneze, Hyundai-n koreane dhe konkurrentë të tjerë si Honda e Nissan.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Amerika e Veriut përbën të paktën 40% të të hyrave të përgjithshme të Toyota-s dhe Hyundai-t, shkruan Reuters.

Analistët dhe përfaqësues të industrisë vlerësojnë se rëndësia e këtij tregu nuk do të ndryshojë shpejt – sidomos tani që Kina, megjithëse është tregu më i madh global për vetura, dominohet nga prodhues të brendshëm të veturave elektrike si BYD, transmeton AutoPortali.

Sipas ekspertëve, markat tradicionale aziatike me fitim më të lartë dhe me një linjë solide të veturave hibride – si Toyota, Hyundai, Kia dhe pjesërisht Honda – kanë gjasa ta përballojnë më lehtë “stuhinë” e tarifave amerikane, madje të fitojnë terren përballë markave më të dobëta si Nissan.

“Ambienti në të cilin ndodhemi po bëhet gjithnjë e më i ashpër dhe i pasigurt, duke filluar nga tarifat amerikane,” deklaroi javën e kaluar në Tokio drejtori i Mazda-s, Noriyuki Takimura. Sipas tij, kompania do të kërkojë të balancojë mes masave mbrojtëse si ulja e kostove dhe atyre ofensive si forcimi i gamës së produkteve.

Dy zyrtarë të Hyundai-t dhe dy drejtues të kompanive japoneze thanë për Reuters se nuk kanë në plan të ulin investimet në SHBA, pavarësisht tarifave. Të katërt pranuan vështirësitë e pritshme, por kërkuan të mbeteshin anonimë.

SHBA-ja mbetet tregu më i madh për Toyota-n për nga shitja e veturave. Vetëm në vitin 2024, kompania shiti atje 2.3 milionë njësi, përfshirë markën Lexus – mbi një të pestën e totalit global. Për nga të hyrat, Amerika e Veriut është tregu i dytë më i rëndësishëm pas Japonisë.

Për Hyundai-n, të ardhurat nga Amerika e Veriut në vitin e kaluar ishin më të lartat në gati një dekadë. Sipas analistit Kim Chang-ho nga “Korea Investment & Securities”, rreth 60% e fitimeve të Hyundai-t vijnë nga SHBA-ja, kryesisht falë çmimeve më të larta të veturave.

Dikur objekt talljeje në Amerikë për cilësinë e ulët në vitet ’80, Hyundai i ka dyfishuar përpjekjet në SHBA në dekadën e fundit, veçanërisht pas tensioneve me Kinën dhe rritjes së prodhuesve vendas të EV-ve në tregun kinez. “Pas shumë vitesh përpjekjesh, marka jonë më në fund po fiton njohje në SHBA,” tha një nga zyrtarët e Hyundai-t. “Dhe nuk kemi ndërmend ta lëmë këtë treg.”

Luftë hibride në tregun amerikan

SHBA po përjeton një bum të kërkesës për vetura hibride, ndërsa konsumatorët shfaqin shqetësime për bateritë e EV-ve, çmimet dhe procesin e karikimit. Modelët e kursyer me karburant, si hibridet, do të jenë çelësi për të fituar pjesë tregu, vlerëson analisti Vincent Sun nga Morningstar. Toyota, Hyundai dhe Kia kanë pozicion të fortë në këtë segment.

Deri tani, shumica e prodhuesve aziatikë kanë shmangur rritjen e çmimeve në SHBA. Analistët parashikojnë se markat më të fuqishme do të përpiqen të ruajnë çmimet e njëjta, përkundër rënies së përfitimeve, dhe të marrin pjesë tregu nga konkurrentë më të dobët si Nissan apo Stellantis.

“Kjo do të kthehet në një lojë nervash,” tha analisti Kim Sung-rae nga Hanwha Investment. “Ata që rezistojnë më gjatë, do të dalin fitues.”

Tarifat, nxitje për ristrukturim?

Tarifat mund të shërbejnë si katalizator për bashkime në industri ose forcim të aleancave ekzistuese. Disa investitorë spekulojnë se tarifat mund të shtyjnë Nissan-in të rikthejë bisedimet për bashkim me Honda-n – negociata që dështuan këtë vit. Mazda (ku Toyota ka 5.1% të aksioneve) dhe Subaru (21% e zotëruar nga Toyota) mund të varën edhe më shumë nga gjiganti japonez.

Investime të reja në SHBA?

Edhe pse Hyundai dhe Kia kanë tri fabrika në SHBA, ato ende importojnë rreth dy të tretat e veturave të shitura atje. Toyota prodhoi 1.3 milionë vetura në SHBA në vitin e kaluar – 54% e totalit që shiti atje. Sipas shifrave të Shoqatës së Industrisë Auto Japoneze (JAMA), që nga vitet 1980, prodhuesit japonezë kanë investuar mbi 66 miliardë dollarë në ndërtimin e më shumë se 20 fabrikave në SHBA.

Në mars, gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e Donald Trumpit, Hyundai njoftoi një plan investimi prej 21 miliardë dollarësh në SHBA, që përfshin edhe ndërtimin e një fabrike çeliku dhe rritjen e kapacitetit prodhues në 1.2 milionë vetura në vit.

Sipas analistit Justinas Liuima nga “Euromonitor International”, tarifat pritet të nxisin prodhuesit japonezë dhe koreanë të investojnë më shumë në rritjen e kapaciteteve prodhuese brenda SHBA-së dhe në lokalizimin e zinxhirit të furnizimit, për të ruajtur pozitat në treg.

Ata gjithashtu do të përfitojnë nga një tjetër aspekt i proteksionizmit amerikan: tarifat më të larta për EV-të kineze, që i mbajnë larg konkurrentët kinezë nga tregu amerikan – ndryshe nga ajo që ndodh në tregjet aziatike.

Administrata Biden ka vendosur tarifë 100% për veturat elektrike të importuara nga Kina. Megjithatë, një prej drejtuesve japonezë tha se nuk mjafton thjesht rritja e prodhimit në SHBA, pasi kostot, sidomos ato të fuqisë punëtore, mbeten të larta dhe ndikojnë në fitim.

“Ky është realisht një moment që mund ta ndryshojë lojën,” tha analistja Julie Boote nga firma britanike Pelham Smithers.

Sipas saj, disa kompani ende nuk kanë përfshirë efektin e plotë të tarifave në parashikimet financiare për këtë vit, gjë që mund të sjellë “zgjim të ashpër” për investitorët në raportet tremujore.

TË FUNDIT