Drita shkruan histori, kalon tutje në Champions League
D

Drita shkruan histori, kalon tutje në Champions League

Kampioni i Kosovës, Drita, ka hyrë në histori sonte në Luksemburg, duke u bërë skuadra e parë kosovare që kalon raundin e parë të Ligës së Kampionëve.

Skuadra gjilanase triumfoi si mysafire ndaj Differdange 03 me rezultat 3-2, ndërsa me fitoren 1-0 në ndeshjen e parë në Prishtinë, e siguroi kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-2, transmeton AutoPortali.

Ndeshja nisi në mënyrë perfekte për Dritën. Vetëm në minutën e katërt, pas një asisti nga Besnik Krasniqi, Arb Manaj shënoi golin e parë. Në minutën e 17-të, sërish Manaj realizoi për 2-0 pas një tollovie në zonë.

Differdange reagoi në minutën e 28-të me golin e Theo Brusco, që shfrytëzoi një pasiguri në mbrojtje. Loja u ashpërsua dhe pjesa e parë u mbyll me tension.

Në pjesën e dytë, vendasit shtuan presionin, por portieri Faton Maloku ishte i pakalueshëm. Në minutën e 84-të, Veton Tusha humbi një rast të pastër, por pesë minuta më vonë Differdange barazoi nga penalltia e Samir Hadji, e dhënë pas ndërhyrjes së VAR-it.

Në fundin dramatik të takimit, Drita përfitoi nga hapësirat në mbrojtjen e vendasve dhe në shtesë, Veton Tusha realizoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-2.

Me këtë sukses, Drita siguron kualifikimin për në raundin e dytë dhe shkruan një faqe të artë për futbollin kosovar në garat evropiane.

TË FUNDIT