Skuadra e Red Bull-it ka përgatitur një paketë përmirësimesh për garat e ardhshme në Formula 1.
Këshilltari i Red Bull-it, Helmut Marko, ka konfirmuar se ekipi do të përmirësojë makinën për dy garat e ardhshme, gjë që mund të jetë një shtysë e madhe për Max Verstappenin.
Skuadra e “Demave” po planifikon përmirësime për garat në Belgjikë dhe Hungari, të cilat zhvillohen përpara pushimit dy-javor të verës në gusht, kur me shumë gjasë do të vijë edhe një paketë e re dhe e përmirësuar.
Kjo mund të jetë një mundësi për Verstappenin që t’i kundërvihet më seriozisht McLaren-it, i cili ka fituar një epërsi të dukshme javët e fundit. Është e qartë se me këtë lëvizje, Red Bull ka dërguar një paralajmërim.
Edhe pse kampioni i katërfishtë i Formula 1 vendosi një xhiro të shkëlqyer për “pole position” në Çmimin e Madh të Britanisë, pilotët e McLaren-it përfunduan garën me një epërsi prej plot 35 sekondash ndaj pjesës tjetër të konkurrencës.
Verstappen ishte veçanërisht i zëshëm të premten gjatë seancave të lira të praktikës, duke theksuar shpesh problemet me makinën RB21, gjë që çoi në rregullime të shpeshta gjatë natës para kualifikueseve.

Stacioni i radhës është pista Spa-Francorchamps, e cila është një nga të preferuarat e Verstappenit, dhe Marko beson se ajo i përshtatet më shumë Red Bull-it.
“Na pret një fundjavë me format sprint në Belgjikë dhe më pas Çmimi i Madh i Hungarisë. Pista Spa-Francorchamps duhet të jetë më e favorshme për makinën tonë, sidomos duke marrë parasysh kushtet e zakonshme të paqëndrueshme të motit. Jemi optimistë në këtë drejtim. Hungaria mund të jetë pak më e vështirë për ne, për shkak të karakteristikave të pistës dhe temperaturave zakonisht të larta. Megjithatë, do të kemi pjesë të reja në makinë për të dyja fundjavat dhe shpresojmë që kjo do të ketë një efekt pozitiv”, shkroi Marko në kolonën e tij për Speedweek.




