Sainz sqaron situatën që e pati me Ferrarin
S

Sainz sqaron situatën që e pati me Ferrarin

Si është të jetosh një sezon të tërë si pilot i Formula 1, duke e ditur që në sezonin pasardhës do të jesh pa skuadër? Kjo është një situatë e vështirë dhe tmerrësisht e komplikuar dhe konfirmimi vjen nga Carlos Sainz.

Piloti spanjoll aktualisht garon për Williams, por e kaloi të gjithë sezonin 2024 duke garuar për Ferrarin, pavarësisht se e dinte se do ta humbiste vendin e tij në fund.

“Ne të gjithë kemi një demon dhe një engjëll brenda nesh. Demoni im më tha të bëja ose të thosha shumë gjëra, të ndryshoja… por engjëlli im më mposhti. Nuk do të kishte qenë e drejtë, unë qëndrova profesionist”, ka thënë Sainz.

Ish-shoku i skuadrës së Charles Leclerc rrëfeu se luftoi me disa mendime negative gjatë sezonit 2024, të cilin e drejtoi duke e ditur se Lewis Hamilton do ta zëvendësonte në fund të vitit.

“Një pilot me një ego të madhe mund ta kishte bërë copë-copë Ferrarin atë vit. Unë zgjodha të qëndroja profesionist, duke dhënë gjithçka deri në garën e fundit”, tha Sainz në një podkast. “E bëra për ekipin, por edhe për veten time. Nuk do të kishte qenë e drejtë të ndizja skenën për të gjithë ata që nuk kishin të bënin fare me vendimin”, shtoi ish-piloti i “kokëkuqes”.

Në Botërorin 2024, Sainz luajti një rol të rëndësishëm duke ndihmuar Ferrarit për të marrë vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve, pas McLarenit. Sainz regjistroi dy fitore, në Australi dhe Meksikë, dhe nëntë ngjitje në podium gjatë sezonit të kaluar.

 

TË FUNDIT