Federata e Futbollit të Polonisë ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Jan Urban si përzgjedhës i ri i kombëtares, duke pasuar Michal Probierz, i cili dha dorëheqje në muajin qershor.
Urban, 63 vjeç, është trajneri i pestë i Polonisë që nga viti 2021, ai do të marrë drejtimin e ekipit në një moment të vështirë, pasi Polonia renditet e treta në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2026, pas humbjes 2:1 ndaj Finlandës, ndeshje që rezultoi të ishte edhe e fundit për Probierzin në stolin polak, transmeton AutoPortali.
Dorëheqja e Probierzit erdhi pas tensioneve të brendshme në skuadër, veçanërisht pas vendimit të tij për t’ia hequr shiritin e kapitenit Robert Lewandowskit, gjë që bëri që sulmuesi i Barcelonës të refuzonte ftesat për përfaqësuesen.
Urban ka një përvojë të gjatë si futbollist dhe trajner, ai ka zhvilluar 57 ndeshje me kombëtaren polake si lojtar dhe karrierën si trajner e nisi në Spanjë, te akademia e Osasunës.
Në vitin 2007 mori drejtimin e Legia Varshavës, klub me të cilin fitoi titullin kampion në vitin 2013.
Urban gjithashtu ishte pjesë e stafit të kombëtares si asistent në Euro 2008, së fundmi, ai ka punuar si trajner i Górnik Zabrze, prej nga u shkarkua në muajin prill.
Federata shpreson që me emërimin e Urbanit, ekipi kombëtar të rikthejë stabilitetin dhe të mbajë gjallë shpresat për kualifikim në Botërorin 2026. /AutoPortali



