Nuk kanë të ndalur thirrjet nacionaliste nga klubi serb, UEFA mbyll sytë dhe nuk dënon
N

Nuk kanë të ndalur thirrjet nacionaliste nga klubi serb, UEFA mbyll sytë dhe nuk dënon

Skuadra nga Serbia, Partizani, të enjten është eliminuar nga garat evropiane, ku është mposhtur në Beograd nga skuadra AEK Larnaca pas kohës shtesë dhe penalltive në raundin e parë kualifkues në Europa League.

Gjatë kësaj ndeshje, nuk kanë munguar thirrjet nacionaliste nga tifozët e Partizanit, të cilët edhe kanë shpalosur koreografinë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, shkruan AutoPortali.

Ndeshja në Beograd zgjati pothuajse tre orë, dhe ishte një dramë në kohën shtesë, ku fillimisht mysafirët shënuan golin e barazimit 1-1, por vendasit shënuan në minutën 118-të një gol nga penalltia.

Ndeshja vazhdoi drejt fazës së penalltive ku skuadra nga Qipro u tregua më e saktë sesa skuadra nga Serbia.

Mirëpo ende nuk ka ndonjë reagim nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA në lidhje me thirrjet nacionaliste dhe shpalosjes së turpshme të koreografisë gjatë kësaj ndeshje.

 

Çfarë dënimi mund të marrë Partizani pas këtyre thirrjeve nacionaliste?

Spas raportit disiplinor të UEFA, nëse në një ndeshje zyrtare në garat evropiane ka thirrje nacionaliste, gjobat janë të ndryshme, duke marrë parasysh se sa mund të jenë të dëmshme thirrjet nacionaliste apo veprimet tutje pas atyre thirrjeve.

Gjoba “më e lehtë” në këtë rast, është gjobë prej 10 mijë euro, ndërsa mund të shkojë deri në 200 mijë euro, në raste shumë ekstreme UEFA mund të kërkojë edhe dënime më të larta nëse sjellja konsiderohet shumë e dëmshme për imazhin e futbollit.

Një ndër dënimet tjera, mund të jetë edhe ndëshkimi me disa ndeshje pa tifozë, apo edhe largimi nga garat si dhe humbja e ndeshjes në tavolinë (me rezultat 3-0).

Një ndër faktorët kyç që ndikon në rritjen e dënimin është pikërisht se sa herë është dënuar më parë klubi për të njëjtat veprime.

Kur bëhet fjalë për thirrjet nacionalist si dhe ato raciste, në shumicën e rasteve shtëpia e futbollit evropian (UEFA), është me dorë të hekurt dhe nuk falë, megjithatë, kësaj radhe, ka vendosur “të heshtë” dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim  për skuadrën nga Beogradi, të cilët në shumicën e ndeshjeve të tyre bëjnë thirrje në korë dhe shpalosin koreografi të ndryshme nacionaliste kundër popullit shqiptar, ne veçanti atyre të Republikës së Kosovës. /AutoPortali

 

TË FUNDIT