Usyk përballë Dubois për titullin e madh
U

Usyk përballë Dubois për titullin e madh

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është gati për një tjetër duel të madh ndaj britanikut Daniel Dubois, në një përballje që do të zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin legjendar “Wembley” në Londër.

Ky meç do të vendosë kampionin absolut të peshave të rënda në boksin profesionist.

Usyk, 38 vjeç, aktualisht mban titujt WBA Super, WBO dhe WBC, ndërsa Dubois është në posedim të titullit IBF, duke bërë që të gjitha brezat kryesore të jenë në lojë në këtë sfidë, shkruan AutoPortali.

Dyshja janë përballur më parë në gusht të vitit 2023, ku Usyk doli fitues pas ndërprerjes në raundin e nëntë.

“Mosha nuk është pengesë për mua, e respektoj Duboisin, por jam po aq i uritur për fitore, 38 vjet nuk janë fundi.” Është shrpehur Usyk.

Usyk vjen i pamposhtur në 23 duele si profesionist, me 14 prej tyre të fituara me ndërprerje.

Ai ka kujtime të arta nga Londra, pasi në vitin 2012 fitoi medaljen e artë olimpike, por kjo do të jetë hera e parë që ngjitet në ringun e “Wembley”.

Në anën tjetër, Daniel Dubois, 27 vjeç, ka regjistruar 22 fitore, 21 prej tyre me nokaut, dhe 2 humbje.

Pas disfatës ndaj Usyk, ai ka bërë një rikthim mbresëlënës me fitore ndaj emrave të njohur si Jarrell Miller, Filip Hrgović dhe Anthony Joshua.

“Ëndrra ime është të bëhem kampion i padiskutueshëm. Dua ta shkruaj emrin tim në historinë e këtij sporti,” tha britaniku.

Usyk, i cili më parë ka qenë kampion i padiskutueshëm, shpreson të arrijë këtë arritje për herë të tretë.

Për shkak të situatës së paqëndrueshme në vendin e tij, Usyk është stërvitur në Spanjë.

I njohur edhe për angazhimin në radhët e forcave të armatosura të Ukrainës, ai mbetet një figurë frymëzuese për bashkëkombësit që përballen me pasojat e pushtimit rus. /AutoPortali

TË FUNDIT