Barcelona me probleme financiare, nuk arrin të transferojë yllin e Interit
B

Barcelona me probleme financiare, nuk arrin të transferojë yllin e Interit

Denzel Dumfries vazhdon të përflitet si një objektiv i mundshëm për Barcelonën, por pavarësisht interesimit të shfaqur, klubi katalanas nuk ka ndërmarrë ende hapa konkretë për transferimin e mbrojtësit të krahut të djathtë që aktivizohet te Interi.

Sipas raportimeve të gazetarit Adria Fernandez për të përditshmen sportive SPORT, drejtuesit e Barcelonës e vlerësojnë lart profilin e lojtarit holandez, transmeton Autoportali.

Ai konsiderohet si një përshtatje ideale për stilin e lojës së skuadrës, për shkak të karakteristikave të tij fizike, shpejtësisë, dhe kontributit të lartë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Megjithatë, pavarësisht interesimit, kushtet aktuale financiare të klubit janë pengesë kryesore, rregullat strikte të ‘Fair-play’ financiar dhe vështirësitë që lidhen me regjistrimin e lojtarëve të rinj në La Liga e bëjnë të pamundur që transferimi i Dumfries të jetë një përparësi për momentin.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se emri i Dumfries është diskutuar kohët e fundit gjatë një takimi mes drejtuesve sportivë të Barcelonës dhe agjentit të njohur Jorge Mendes, i cili ka rol ndërmjetësues në këtë marrëdhënie.

Mendes i cili ka lidhje të ngushta me drejtues të klubit katalanas, ua ka ofruar Barcelonës shërbimet e mbrojtësit si një alternativë shumë e vlefshme për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Një aspekt që e bën transferimin më të lehtë është klauzola e lirimit prej 25 milionë eurosh, e cila e bën lojtarin financiarisht të përballueshëm për klubet që kërkojnë përforcime në këtë pozicion.

Sidoqoftë, kjo klauzolë është me afat të kufizuar dhe skadon në fund të muajit korrik, çka do të thotë se nëse Barcelona dëshiron ta sigurojë shërbimin e tij për këtë çmim, duhet të veprojë shpejt.

Ndërkohë, klubi është i përqendruar kryesisht në përforcimin e repartit ofensiv, ku tashmë është bërë zyrtar transferimi i sulmuesit anglez Marcus Rashford.

Duke qenë se për momentin burimet financiare janë të kufizuara, prioriteti i klubit nuk është reparti i mbrojtjes, pavarësisht se Dumfries shihet si një mundësi shumë e vlefshme.

Me 11 gola dhe 6 asistime në sezonin e kaluar, Dumfries ka treguar se mund të japë kontribut edhe në fazën sulmuese, duke e bërë atë një mbrojtës modern dhe të kërkuar në tregun evropian.

Por në rrethanat aktuale, kufizimet buxhetore dhe vështirësitë në regjistrimin e lojtarëve të rinj, sipas rregullave të vendosura nga La Liga, e kanë lënë pozicionin e tij si prioritet dytësor për Barcelonën. /AutoPortali

TË FUNDIT