Skuadrat kosovare, Ballkani dhe Prishtina vazhdojnë rrugëtimin e tyre evropian teksa janë paraqitur në raundin e dytë kualifikues të Conference League.
Megjithatë, fokusi mbetet në ndeshjet aktuale, ndërsa është hedhur shorti për raundin e tretë, duke zbuluar emrat e kundërshtarëve të mundshëm në rast se këto ekipe sigurojnë kalimin tutje, shkruan AutoPortali.
Në mesin e emrave të njohur që mund të përballen me kampionët dhe nënkampionët e Kosovës, përmenden skuadra me eksperiencë në arenën ndërkombëtare si AZ Alkmaar nga Holanda, Varazhdin i Kroacisë, Vllaznia nga Shqipëria dhe Maribori i Sllovenisë.
Këto përballje potenciale do të jenë të një niveli të lartë dhe përfaqësojnë sfida serioze për skuadrat kosovare, që synojnë të shkruajnë historinë në garat evropiane.
Ndërkohë, Drita, e cila garon në raundin e dytë në Champions League kundër Copenhagenit, ndodhet përpara një skenari të dyfishtë.
Në rast të kualifikimit ndaj gjigantëve danezë, ajo do të përballet në raundin pasues me skuadra si Lech Poznan nga Polonia, Malmo e Suedisë dhe të tjera emra me peshë në futbollin kontinental.
Por edhe në rast të një eliminimi nga Champions League, rrugëtimi evropian nuk do të përfundojë për Dritën.
Ajo do të transferohet automatikisht në raundin e tretë kualifikues të Europa League, ku si kundërshtarë të mundshëm përmenden skuadra të njohura si Shkëndija e Tetovës, ndër të tjera.
Ky është një moment vendimtar për futbollin kosovar, me tre skuadra që luftojnë në tri fronte evropiane, duke synuar jo vetëm sukses sportiv, por edhe ngritje në renditjet e UEFA-s dhe përfaqësim dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare. /AutoPortali


                                    

