Marcus Rashford ka mbërritur në Barcelonë mbrëmjen e së dielës, në orën 21:30 duke hedhur hapin e parë në një faqe të re të karrierës së tij si futbollist profesionist.
Sulmuesi 27-vjeçar i është bashkuar klubit katalunas në formë huazimi njëvjeçar nga Manchester United, me një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, një marrëveshje tashmë e finalizuar në tërësi mes dy klubeve.
Anglezi pritet të ketë një javë mjaft të ngarkuar, pasi të enjten është planifikuar udhëtimi i skuadrës drejt Japonisë, ku do të zhvillohet një turne përgatitore, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.
Prezantimi i tij zyrtar si futbollist i Barcelonës ishte planifikuar fillimisht për ditën e martë, por për shkak të ndryshimeve në agjendën stërvitore të trajnerit Hansi Flick, ceremonia është shtyrë për të mërkurën pasdite.
Sipas njoftimeve nga klubi, prezantimi do të zhvillohet në ambientet e “Spotify Camp Nou” dhe do të nisë në orën 18:00, ku Rashford do të firmosë kontratën në prani të presidentit Joan Laporta, ndërsa më pas do të japë deklaratat e tij të para për mediat zyrtare të klubit, transmeton AutoPortali.
Një orë më pas, në orën 19:00, lojtari do të dalë për herë të parë para mediave në një konferencë të shkurtër për shtyp, e cila do të mbahet në dyqanin zyrtar të klubit, një format i ngjashëm me prezantimet e fundit që ka ndjekur Barça, si ai i Lamine Yamal pas rinovimit të kontratës.
Transferimi i Rashford konsiderohet si një lëvizje strategjike nga Barcelona, që kërkon të rikthehet fuqishëm në garat evropiane dhe të rifitojë shkëlqimin në La Liga, ndërkohë që për Rashfordin kjo është një mundësi e artë për të rilindur në një ambient të ri, pas një sezoni të vështirë te Manchester United. /AutoPortali



