Reali shpreh interesim për Konaten
R

Reali shpreh interesim për Konaten

Real Madridi ka shfaqur interes për mbrojtësin qendror të Liverpoolit, Ibrahima Konaté, duke e përfshirë atë në listën e objektivave për përforcimin e repartit të mbrojtjes.

Sipas gazetarit të njohur, Fabrizio Romano, klubi spanjoll ka ndërmarrë tashmë hapat e parë konkret në drejtim të këtij transferimi, transmeton AutoPortali.

“Los Blancos” kanë kontaktuar Liverpoolin për të pyetur nëse ekziston një mundësi reale që anglezët të shqyrtojnë shitjen e mbrojtësit francez, dhe nëse një ofertë e caktuar do t’i bënte të hapur për bisedime. Aktualisht, bisedimet mes dy klubeve janë në zhvillim, por ende nuk ka një ofertë zyrtare të paraqitur.

Konaté, 25 vjeç, shihet nga Real Madridi si një alternativë afatgjatë në qendër të mbrojtjes, në një moment kur klubi kërkon të rinovojë linjën e pasme dhe të gjejë zëvendësues potencial për lojtarë si Antonio Rüdiger dhe David Alaba, të cilët janë tashmë në një moshë më të avancuar.

Mbrojtësi francez gjithashtu ka përvojë ndërkombëtare me kombëtaren e Francës, çka e bën edhe më tërheqës për Realin.

Për momentin, nuk dihen ende shifrat konkrete që Liverpool do të kërkonte për ta lënë të lirë Konatén, por duke marrë parasysh kontratën dhe rëndësinë e tij në skuadër, marrëveshja nuk pritet të jetë e lehtë.

Nëse transferimi realizohet, kjo do të ishte një tjetër lëvizje e bujshme nga ana e klubit mbretëror, që vazhdon të përforcojë skuadrën me elementë të rinj dhe cilësorë, në përpjekje për të ruajtur dominimin në Spanjë dhe Evropë. /AutoPortali

TË FUNDIT