E ardhmja e Ardon Jasharit te Club Brugge mbetet pezull, teksa interesimi i Milanit është përplasur me refuzimet kategorike të klubit belg, që nuk heq dorë nga kërkesa prej 40 milionë eurosh.
Trajneri i Brugge, Nicky Hayen, konfirmoi se situata është e ndërlikuar, por e qartë:
“Ai duhet të rikthehet në stërvitje të hënën. Kjo është një situatë komplekse, por kam besim se klubi do ta menaxhojë siç duhet. Gjërat mund të ndryshojnë shpejt në futboll” – ka thënë Hayen.
Edhe pse Milani ka arritur marrëveshje personale me lojtarin, çdo ofertë e bërë deri më tani është refuzuar.
Brugge nuk ka ndërmend të lëshojë pe dhe kërkon të marrë maksimumin për kartonin e mesfushorit shqiptar. Hayen theksoi gjithashtu se Rossonerët nuk janë të vetmit të interesuar:
“Nuk mund të ndaj gjithçka, por e di që nuk është vetëm Milani. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të presim” – ka thënë trajneri i skuadrës belge.
Jashari nuk ishte i pranishëm në fitoren e Brugge në Superkupën e Belgjikës dhe refuzoi të marrë pjesë në fotografinë zyrtare të ekipit, të cilat janë konsideruar si sinjale të qarta për një largim të afërt.
Sipas Fabrizio Romano, përveç Milanit, edhe West Ham dhe Nottingham Forest kanë shfaqur interes konkret, por Jashari ka zgjedhur Milanin si destinacionin e tij të preferuar.
Brugge qëndron e palëkundur, pa ofertën e kërkuar, nuk ka transferim, ndërsa tani topi është në fushën e Milanit. /AutoPortali


                                    

