Fituesi i Superligës së Kosovës, FC Drita, përballet sonte (e martë) me FC Copenhagen në raundin e dytë kualifikues të Champions League, në një sfidë të madhe, mirëpo me synime vetëm për fitore.
Ndeshja zhvillohet në orën 19:00 në Danimarkë, ku Drita kërkon të befasojë, pavarësisht epërsisë së qartë të skuadrës daneze në aspektin teknik, financiar dhe përvojë në garat evropiane, shkruan AutoPortali.
Copenhagen ka histori të gjatë në Champions League dhe Europa League, por Drita nuk udhëton e dorëzuar.
Ekipi nga Gjilani ka treguar karakter edhe më parë përballë gjigantëve si Feyenoord dhe Malmo, edhe pse përballja e sotme mbetet një prej më të vështirave në historinë e saj.
Për ironi, apo për fat të keq, sfida nuk do të transmetohet nga asnjë televizion kosovar, duke përsëritur gabimin e madh të mungesës së mbulimit mediatik të ndeshjeve të mëparshme ndërkombëtare si ajo ndaj Differdange apo përballja e Prishtinës me Sheriff Tiraspol. /AutoPortali


                                    

