Ducati i përulet kampionit Marc Marquez
D

Ducati i përulet kampionit Marc Marquez

Marc Marquez po zhvillon një sezon të mahnitshëm. Ndonëse që në fillim konsiderohej si një nga favoritët e mëdhenj në Botërorin 2025 të Moto GP-së, shumë pak njerëz mund ta kishin menduar se spanjolli do të shkonte në pushimet e verës me 120 pikë avantazh nga rivali më i afërt, i cili është vëllai i tij, Alex.

Piloti i Ducatit zyrtar në Brno shënoi dopietën e pestë radhazi dhe të tetën sezonale, ndërsa numëron 11 triumfe në 12 sprinte të zhvilluara, për t’u shtuar edhe 7 “pole position” dhe po kaq xhiro më të shpejta. Dominimi të tij është total, që i ka bërë të gjithë për vete te Duckati.

I mahnitur pas pilotit spanjoll është edhe vetë CEO, Luigi Dall’Igna. “Tetë fitore në 12 gara, triumfi i 70- të në histori dhe pesë dopieta radhazi e bëjnë Marquezin pilotin e parë të Ducatit që arrin këto shifra”.

Kjo është një supremaci që i lë në hije fitoret e thjeshta dhe flet shumë për “punën e shkëlqyer që po bëjmë në simbiozën midis motorit dhe pilotit, gjë që na mbush me krenari”, deklaron drejtuesi italian, i cili vijon t’i thurë elozhe tetë herë kampionit të botës: “Është një vlerësim i merituar për një pilot me klas të jashtëzakonshëm të Marquez dhe, mbi të gjitha, inteligjent”.

“Ai di gjithmonë si të menaxhojë situatat dhe kushtet e ndryshme të garës, qoftë duke marrë kryesimin nga xhiroja e parë deri në të fundit me dominim absolut, si në Gjermani, apo kur niset më me kujdes, pastaj duke përshpejtuar me shpejtësi të plotë në mes të garës, duke i mbajtur të gjithë në një distancë të sigurt pa marrë asnjë rrezik, siç bëri në Çeki. Marquez optimizon çdo rrethanë, qoftë në kushte të thata apo të lagështa, duke nxjerrë më të mirën nga motori dhe nga vetja në momente vendimtare. Ai kombinon inteligjencën dhe instinktin, duke moduluar përvojën e një kampioni dhe dëshirën e pangopur për të fituar”, përfundon Luigi Dall’Igna, duke iu përulur tetë herë kampionit të botës.

TË FUNDIT