Zyrtare: Pirlo bëhet trajner I një klubi të ri
Z

Zyrtare: Pirlo bëhet trajner I një klubi të ri

Andrea Pirlo një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit italian, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij si trajner.

Ish-mesfushori i Milanit, Juventusit dhe kampion bote me Italinë, është konfirmuar zyrtarisht si trajneri i ri i United FC, një klub i sapothemeluar me seli në Dubai, transmeton AutoPortali.

Pirlo ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, e cila do ta mbajë atë në krye të skuadrës deri në verën e vitit 2027.

“Jemi krenarë që e mirëpresim Andrean në familjen e United FC. Ai mishëron vlerat dhe ambiciet e klubit tonë dhe ne besojmë se do të jetë një figurë kyçe në çuarjen tonë në nivelin tjetër,” deklaroi presidenti i klubit, Ilie Cebanu.

United FC është një klub i ri në futbollin e Emirateve të Bashkuara Arabe, i themeluar më pak se tre vjet më parë, dhe që zyrtarisht nisi garat në shtator të vitit 2022.

Në sezonin debutues (2022/23), skuadra siguroi ngjitjen në divizionin e parë, pasi u rendit në vendin e dytë në kategorinë e dytë.

Në sezonet që pasuan, klubi ka ruajtur statusin si një nga ekipet më konkurruese në ligën e parë, duke vendosur bazat për një projekt ambicioz dhe afatgjatë.

Për Andrea Pirlon, ky është klubi i katërt që ai drejton në nivel senior, pas eksperiencave me Juventus, Fatih Karagümrük në Turqi dhe së fundmi Sampdoria në Serie B të Italisë.

Ndeshja e tij debutuese në stolin e United FC është planifikuar për datën 20 shtator, kur ekipi i tij do të përballet me Al Dhaid, në kuadër të kampionatit të divizionit të parë të Emirateve. /AutoPortali

TË FUNDIT