Leotrim Isufi, në Drag Race 2 për fitore
L

Leotrim Isufi, në Drag Race 2 për fitore

Leotrim Isufi është ndër garuesit më atraktivë në disiplinën Drag Race. Që nga arritja para startit e deri në përfundim të garës, ai dhe Audi S3 e tij i mbajnë në emocion dashamirët e kësaj disipline.

Leotrimi njihet si garues i pasionuar dhe që e “nxjerr” maksimumin e veturës së tij. Pa dyshim që kështu do të jetë edhe në këtë fundjavë, kur mbahet Drag Race 2.

“Dihet që gara e gushtit është më e madhja dhe është e sigurt se e tillë do të jetë edhe sivjet. Gjithsesi unë jam i gatshëm për sfidën e radhës dhe pres të arrij rezultat të mirë”, ka thënë Isufi për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.

Pavarësisht faktit që konkurrenca do të jetë e fortë, ai është optimist se nund të jetë fitues jo vetëm në klasën e tij, por edhe i garës në përgjithësi.

“Sigurisht do të jetë garë e fortë me garues që janë të dëshmuar më parë, por edhe të rinj që dëshirojnë ta sprovojnë veten në këtë disiplinë. Do të ketë edhe garues diaspora me vetura shumë të shpejta. Por, ky fakt është vetëm një arsye më shumë që secili prej nesh të jap maksimumin. Unë jam optimist se mund ta fitoj këtë garë dhe ky është synimi im i vetëm”, është shprehur Leotrimi.

Interesimi për pjesëmarrje është i madh dhe pritet që dy ditët e fundjavës sëparë të gushtit (2 dhe 3 gusht) të jenë spektakël i vërtetë.

 

TË FUNDIT