Real Madrid ka nisur zbatimin e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale (IA) për të parandaluar dëmtimet te futbollistët, pas disa sezonesh të mbushura me probleme fizike në skuadër.
Sipas raportimeve të “MARCA”, klubi madrilen po bashkëpunon me kompani teknologjike për të analizuar të dhëna të detajuara për çdo lojtar, duke përfshirë ngarkesën stërvitore, historikun e dëmtimeve, gjumin, ushqyerjen dhe madje edhe gjendjen emocionale, transmeton AutoPortali.
Të gjitha këto të dhëna mblidhen përmes pajisjeve gjurmuese dhe sensorëve, për të parashikuar rrezikun e lëndimeve.
Real Madrid i është bashkuar klubeve si Manchester City, Bayern Munich, Flamengo dhe Palmeiras, të cilat po bëjnë investime të mëdha në përmirësimin e sistemeve mjekësore dhe teknologjisë sportive.
Kjo qasje e avancuar vjen pas një sezoni të ngarkuar, që përfshinte edhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube.
Dëmtimet janë kthyer në shqetësim serioz për klubin, ndaj drejtuesit shpresojnë që investimi në IA të sjellë përmirësime të dukshme në sezonin e ri.
Sipas ekspertëve, një dëmtim mesatar mund ta mbajë një lojtar jashtë fushës për 3 deri në 6 javë, duke i shkaktuar klubit humbje teknike dhe financiare.
Përmes teknologjisë së re, Real Madrid synon të minimizojë këto rreziqe dhe të mbajë skuadrën sa më të gatshme përgjatë gjithë sezonit. /AutoPortalo




