Marcus Morris borxh kazinove, arrestohet në Florida të ShBA-së
M

Marcus Morris borxh kazinove, arrestohet në Florida të ShBA-së

Basketbollisti i njohur amerikan Marcus Morris, 35 vjeç, është arrestuar në shtetin e Floridës dhe aktualisht po mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.

Arrestimi i tij është rezultat i një urdhri të lëshuar nga një shtet tjetër amerikan, për shkak të një çështjeje ligjore që lidhet me një çek të pa mbuluar.

Sipas burimeve zyrtare të mediave amerikane, urdhri është lëshuar në kuadër të një procedimi për shkrimin e një çeku pa mbulesë financiare, një vepër që në disa shtete amerikane klasifikohet si shkelje penale.

Megjithatë, përfaqësuesi i lojtarit, menaxheri Yony Noy, ka reaguar publikisht duke hedhur poshtë çdo pretendim për mashtrim apo qëllim të keq nga ana e Morris.

“Sipas informatave që kemi marrë, situata lidhet me një borxh të vogël kazinoje, në vlerën e rreth 1,200 dollarëve,” tha Noy në një deklaratë për mediat. “Në raste të tilla, në disa shtete, autoritetet mund të lëshojnë urdhër arresti. Megjithatë, kjo është diçka absurde. Është krejtësisht çmenduri që një lojtar i këtij niveli të ndodhet pas hekurave për një çështje kaq të vogël” – ka thënë ai, transmeton AutoPortali.

Marcus Morris është një emër i njohur në NBA, pasi ka debutuar në vitin 2011 me ekipin Houston Rockets.

Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e disa prej skuadrave më të njohura të ligës, përfshirë Phoenix Suns, Boston Celtics, New York Knicks dhe Los Angeles Clippers.

Ai njihet për stilin e tij luftarak në fushë dhe për aftësinë për të kontribuar si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.

Përtej aftësive sportive, Morris ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të incidenteve brenda dhe jashtë fushës.

Ai ka pasur përplasje të hapura me disa prej lojtarëve më të njohur të NBA-së, përfshirë yllin serb Nikola Jokic dhe sllovenin Luka Doncic.

Në një episod të njohur, Morris kishte kërcënuar Jokicin pas një incidenti me vëllain e tij, Markieff Morris, i cili gjithashtu është basketbollist profesionist.

Ndërsa në vitin 2020, ai u përjashtua nga një ndeshje pas një goditjeje me bërryl ndaj Doncic, çka shkaktoi tensione të mëdha në parket.

Që prej vitit të kaluar, Morris është pa klub dhe nuk është aktivizuar në ndonjë ekip të NBA-së. Megjithatë, për shkak të përvojës dhe emrit të tij, ai vijon të mbetet një figurë e njohur në botën e basketbollit amerikan.

Rasti i tij pritet të kalojë për shqyrtim në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse situata ligjore do të ketë ndikim në karrierën apo imazhin e tij publik. /AutoPortali

TË FUNDIT