Kampioni i Formula 1, Max Verstappen, kritikoi vendimin për të shtyrë nisjen e Çmimit të Madh të Belgjikës për shkak të shiut dhe dukshmërisë së dobët. Ai përfundoi garën në Spa në vendin e katërt, pas Charles Leclerc, pasi makina e tij ishte e rregulluar për kushte me shi, që nuk ndodhi.
Pavarësisht reshjeve të mëdha para garës, drejtoria vendosi të vonojë startin për gati 90 minuta. Pas disa xhirosh pas makinës së sigurisë, gara filloi me “start fluturues”, dhe pilotët kaluan shpejt në goma për mot të thatë.
“Zgjodhëm konfigurimin për shi dhe më pas na lanë të garojmë në të thatë. Kjo është zhgënjyese. Duhet të gjejmë një mes të artë. Nëse nuk sheh, mund të heqësh këmbën nga gazi, por gara duhet të zhvillohet”, tha Verstappen.
Ai shtoi se mënyra si merren vendimet në kushte atmosferike të vështira duhet të ndryshojë, sepse “kjo nuk është më garë në shi”.
Oscar Piastri tani kryeson renditjen me 266 pikë, përpara Norris (250), ndërsa Verstappen ka 188. Gara e radhës zhvillohet në Hungari, javën që vjen.



