Basketbollisti i ekipit FMP nga Beogradi, Filip Barna, është ndaluar në pikën kufitare të Bajakovës nga autoritetet kroate, ndërsa po tentonte të hynte në Kroaci nga territori i Serbisë.
Mediat serbe raportojnë se ndalimi i tij ndodhi për shkak të një procedure për kundërvajtje të nisur në muajin prill, transmeton AutoPortali.
Incidenti lidhet me një gjest të bërë nga Barna gjatë një ndeshjeje mes Splitit dhe FMP-së, e zhvilluar në prill.
Gjatë festimit të një aksioni në lojë, Barna ngriti tre gishta, një simbol që interpretohet si provokues, çka shkaktoi reagime të ashpra nga publiku vendas dhe më pas u trajtua si incident i padëshiruar.
Pas analizimit të rastit, autoritetet kroate vendosën të hapin procedurë për kundërvajtje ndaj lojtarit.
Si pasojë, në momentin që Barna tentoi të hynte sërish në Kroaci, ai u ndalua për t’u përballur me pasojat ligjore të sjelljes së tij.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as klubi FMP i Beogradit dhe as vetë basketbollisti Filip Barna nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar në lidhje me ngjarjen. /AutoPortali



