Russell reagon pas ankesës nga Verstappen
R

Russell reagon pas ankesës nga Verstappen

Piloti i Mercedesit, George Rusell, mendon se kampioni aktual i Formula 1, Max Verstappen, nuk ka të drejtë që ankohet për shtyrjen e nisjes së garës  për Çmimin e Madh të Belgjikës.

Pas anulimit të garës së Formula 3 më herët gjatë ditës për shkak të shiut, nisja e garës së Formula 1 u shty për 80 minuta derisa kushtet atmosferike u përmirësuan.

Kur gara më në fund filloi, u zhvilluan katër xhiro pas makinës së sigurisë.

Vendimi i drejtuesve të garës shkaktoi ndarje mendimesh, disa u pajtuan se, për arsye sigurie, gara duhej të shtyhej, ndërsa të tjerë mendojnë se nuk kishte arsye për këtë.

Rusell, i cili është gjithashtu drejtor i Shoqatës së Pilotëve të Çmimit të Madh (GPDA), u tha gazetarëve pas garës: “Si garues, gjithmonë dëshiron të garosh. E adhuron garimin në shi. Por e vërteta është se, kur je duke ecur me mbi 320 km/h nëpër ‘Eau Rouge’, nuk sheh absolutisht asgjë. Është njësoj sikur dikush të të kishte lidhur sytë. Kjo nuk është garë, kjo është marrëzi”, tha britaniku.

Gara u lejua të vazhdonte vetëm pasi reshjet pushuan dhe pista ishte tharë në masë të madhe, ndërsa fitues doli lideri i kampionatit, ylli i McLarenit, Oscar Piastri.

TË FUNDIT