FC Barcelona po përballet me një verë të nxehtë jo vetëm për shkak të temperaturave, por edhe për shkak të presionit financiar që kërkon masa të menjëhershme.
Klubi katalunas ende nuk e ka rikthyer funksionimin financiar sipas rregullit 1:1 të La Ligës, dhe përmirësimi i këtij balanci është kyç për stabilitetin ekonomik të klubit.
Në këtë kontekst, sipas raportimeve të fundit nga Fichajes, Paris Saint-Germain po përgatit një ofertë prej 80 milionë eurosh për mesfushorin Gavi, transmeton AutoPortali.
Trajneri Luis Enrique, i cili e ka drejtuar Gavi-n në Kombëtaren e Spanjës, e konsideron atë një element thelbësor për projektin e tij në Paris.
PSG e sheh talentin e Barcelonës si një zëvendësues të mundshëm të Fabian Ruiz, si dhe një përforcim ideal për krah të mesfushorëve Vitinha dhe Joao Neves.
Stili i lojës së Gavit, me intensitet të lartë dhe teknikë të rafinuar, ka bërë që klubi francez të jetë i gatshëm të bëjë një investim të rëndësishëm për të siguruar shërbimet e tij.
Nëse Barça do të pranojë ta shesë një nga talentët më premtues të akademisë së saj, kjo mbetet për t’u parë, por presioni financiar mund ta shtyjë drejt vendimeve të dhimbshme. /AutoPortali



