Piloti anglez George Russell është në bisedime me Mercedesin për rinovimin e kontratës.
Mediat britanike raportojnë se muajt e fundit kanë qarkulluar spekulime se Mercedes ka shtyrë zgjatjen e bashkëpunimit me Russell-in, i cili ka kontratë deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, Sky Sports raporton se të dyja palët po negociojnë për një kontratë të re, sipas së cilës Russell mund të qëndrojë në Mercedes të paktën deri në fund të vitit 2027.
Gjithashtu, disa media kanë raportuar se Mercedes po negocion me kampionin aktual të botës në Formula 1, Max Verstappen, i cili është pjesë e ekipit Red Bull.
Këshilltari i skuadrës Red Bull, Helmut Marko, deklaroi së fundmi se Verstappen do të vazhdojë të garojë për këtë ekip edhe sezonin e ardhshëm.
Drejtori i Mercedesit, Toto Wolff, deklaroi disa ditë më parë gjatë garës për Çmimin e Madh të Belgjikës se një marrëveshje me Russell mund të arrihet para fillimit të pushimit veror.

Russell (27 vjeç) iu bashkua programit të pilotëve të Mercedesit në vitin 2017. Ai garoi për skuadrën Williams në kampionatin e Formula 1 nga viti 2019 deri në vitin 2021, ndërsa që nga viti 2022 është pjesë e ekipit të Mercedesit.
Aktualisht, Russell ndodhet në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme të pilotëve në kampionatin e Formula 1 me 157 pikë.



