Kampioni i Izraelit, Maccabi Tel Aviv, dhe kampioni i Qipros, Pafos, janë përballur të mërkurën mbrëma në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League.
Takimi përfundoi me fitoren minimale të ekipit qipriot 1:0, çka i siguroi atyre kualifikimin në raundin tjetër, pasi ndeshja e parë në Qipro kishte përfunduar 1:1, transmeton AutoPortali.
Për shkak të situatës së paqëndrueshme në Izrael, Maccabi Tel Aviv po zhvillon ndeshjet si vendas jashtë territorit të vet.
Kësaj here, përballja u zhvillua në qytetin Baçka Topola të Serbisë, në stadiumin e klubit serb TSC.
Pavarësisht interesit sportiv që kishte takimi, ai u njollos nga një incident i karakterit politik.
Gjatë ndeshjes, një pjesë e tifozëve të Pafosit kanë bërë thirrje fyese ndaj Kosovës, duke brohoritur: “Kosova është Serbi”.
Kjo thirrje politike, që mohon pavarësinë e Kosovës dhe përdoret shpesh nga qarqe nacionaliste, ka nxitur reagime të përziera në stadium.
Sipas raportimeve të mediave serbe, tifozët lokalë që mbështesnin Maccabin, të pranishëm në stadium, kanë duartrokitur pas këtyre thirrjeve, duke i mirëpritur ato.
“Tifozët qipriotë në një moment kanë thirrur: ‘Kosova është Serbi’. Kjo u mirëprit nga tifozët e Maccabit, që duartrokitën.” Ka shënuar portal serb maxbetsport.rs
Ky incident ka ngritur shqetësime të reja për politizimin e stadiumeve në garat ndërkombëtare dhe mungesën e ndërhyrjes nga autoritetet përkatëse për ndalimin e thirrjeve me përmbajtje ofenduese dhe politike.
Deri më tani, UEFA nuk ka reaguar për këtë rast, por për precedentë të ngjashëm në të kaluarën, organizata ka marrë masa ndëshkuese ndaj klubeve dhe federatave kombëtare. /AutoPortali



